Koalicioni “Shqipëria Bëhet” ankohet në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor kundër vendimit të marrë nga Komisioni i Ankesave pak ditë më parë, që ia dha Ana Dajkos mandatin e vetëm të fituar nga kjo parti në Tiranë.
“Nisma Shqipëria Bëhet” kërkon që të përfaqësohet në parlamentin e ri nga Adriatik Lapaj dhe jo nga zonja që është e para e renditur në listën shumemërore të dorëzuar në KQZ nga ky subjekt politik.
Anëtarët e KAS-it argumentuan se dorëheqjet e kandidatëve nga lista e mbyllur janë akt juridik i pavlefshëm, pasi jurisprudenca nuk i njeh si proces. Por ndryshe pretendon përfaqësia e z. Lapaj, që thotë në kërkesë-padinë me Nr. 29 se caktimi i kandidatëve fitues duhet bërë mbi bazë të numrit të votave parapëlqyese që janë fituar më 11 maj.
Nga shorti që është hedhur në Gjykatën Administrative të Apelit, rezultoi se gjyqtarët që do të vendosin për fatin e z. Lapaj janë:
1. Enkel Peza (Relator);
2. Rexhep Bekteshi (Anëtar);
3. Entela Shedula (Anëtare);
4. Artan Çupi (Anëtar);
5. Ornela Naqellari (Anëtare).
Seanca gjyqësore është planifikuar të zhvillohet më datë 13 gusht, ora 10:00.
Zgjedhjet ende nuk janë certifikuar zyrtarisht, sepse ankesat nuk kanë mbaruar. Kolegji duhet të vendosë edhe për padinë e Andia Ullirit, që pretendon se mandati i Durrësit i takon asaj dhe jo Arjan Ndojës. Për znj. Ulliri është caktuar trupa gjykuese me 5 gjyqtarë, por nuk është përcaktuar data dhe ora e seancës gjyqësore.
Kjo do të thotë se pa mbaruar ankimimet, certifikimi i zgjedhjeve të 11 majit shtyhet me të paktën edhe 10 ditë.