Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Kongresit të PS njoftoi 4 ndryshime në kabinetin qeveritar, mes tyre edhe ministrin e Mbrojtjes, post të cilin e mbante Niko Peleshi. Në krye të dikasterit të Mbrojtjes Rama propozon Pirro Vengun, i cili deri tani ka mbajtur postin e Drejtorit të Portit Durrës.
Pirro Vengu ka mbajtur poste të rëndësishme gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Ai ka qenë edhe drejtori i Antikorrupsionit në Kryeministri. Po ashtu Vëngu ai ka mbajtur më parë edhe postin e shefit të kabinetit në ministrin e Jashtme që dikur drejtohej nga Ditmir Bushati.
Pirro Vengu u bë lajm në media, jo vetëm për detyrat e rëndësishme, por pasi në vitin 2015, teksa ishte në detyrë në ministrinë që drejtohej nga Ditmir Bushati, i erdhi një fletëthirrje nga Greqia, me arsyetimin se nuk kishte kryer detyrimin ushtarak në shtetin grek, detyrim për shkak të mbajtjes së pasaportës greke.
Madje kjo gjë u bë edhe shkak për debate mes opozitës dhe maxhorancës, por Bushati e mori në mbrojtje duke e cilësuar një nga punonjësit më të përkushtuar të institucionit.