Politikë

Gjykata e Apelit "i dorëzon" VULËN E PD Sali Berishës!

Shkruar nga Liberale

Gjykata e Apelit "i dorëzon" VULËN E PD Sali Berishës!

Vula e Partisë Demokratike zyrtare i kalon Sali Berishës. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Agron Zhukrit, i cili njohu kuvendin e 11 Dhjetorit të Berishës. 

Apeli pasi u tërhoq në dhomë këshillimi për vendim unanim, vendosi të mos pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt, duke lënë vulën e Partisë Demokratike zyrtare, Rithemelimit, të drejtuar nga Sali Berisha. 

Çështja u gjykua nga një treshe gjyqtarësh me relatore Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët ishin Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Ndërkohë deputetët e ish-kryeministrit Berisha e konsideruan këtë si një ditë historike për PD. Jashtë gjykatës, Flamur Noka u bëri thirrje deputetëve të larguar të PD, të kthehen në parti, duke thënë se e kanë "derën e hapur". 

“Demokratët janë ata që vendosin. Demokratët sot janë të bashkuar. Nga sot do të kenë vetëm një mision, çrrënjosjen e këtij regjimi. Një opozitë e përçarë ka marrë fund. Sot Shqipëria ka një opozitë të bashkuar. Cdokush që e ndjen veten demokrat e ka derën e PD të hapur dhe është i mirëpritur”, tha deputeti Flamur Noka jashtë gjykatës.

Kujtojmë se në seancën e 27 Dhjetorit të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për këtë çështje. Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural. 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH