Elisa Spiropali, në vizitën e parë jashtë shtetit si kryeparlamentare zgjodhi arbereshët e Italisë!
Për t’iu bashkuar gëzimit të tyre me rastin e ngritjes së përmendores së Heroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeut, e për të dëshmuar afërsinë, kujdesin, dhe ndjenjat e pamohueshme vëllazërore, Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë, i ka surprizuar banorët vendas, duke u veshur me kostumin e tyre tradicional, si për t’u sjellë një mesazh nga Shqipëria: ne jemi një!
“Është shumë domethënëse që të flasim për Skënderbeun këtu, në Horën e Arbëreshët. Figura e Gjergj Kastriotit ka qenë një faktor mbijetese dhe kohezioni, si midis të gjithë brezave të shqiptarëve, ashtu edhe ndër ju, arbëreshët. Hora e Arbëreshëve dhe ju, arbëreshët e Horës, keni një kontribut madhor në mbijetesën dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe letërsisë arbëreshe. Unë jam e nderuar të jem sot në qendrën më të madhe të Arbëreshëve të Sicilisë dhe Italisë, për nga numri i popullsisë“ - theksoi Elisa Spiropali.
Politikania e re socialiste vetëm pak kohë më parë kapi pozicionin numër 2 të institucioneve më të rëndësishme të shtetit pas një veprimtarie aktive si ministre e Shtetit dhe e Marrëdhënieve me Parlamentin, ku shpesh në betejat parlamentare ajo përfaqësonte mazhorancën dhe vetë kryeministrin Edi Rama.