Një çift shqiptaro-italian është arrestuar nga policia zvicerane në kantonin e Luganos, nën dyshimin për trafik droge. Të arrestuarit janë një 51-vjeçar shqiptar me banim në Gjermani dhe një 35-vjeçare italiane. Ata u kapën në flagrancë me 1.4 kg kokainë në banesën e tyre në Davesco-Soragno.
Sipas Policisë Kantonale dhe Zyrës së Prokurorit Publik, gjatë kontrollit në shtëpinë e çiftit u gjetën edhe 10 gramë ekstazi. Dyshohet se ata janë pjesë e një rrjeti të madh të trafikut të drogës në rajonin Sottoceneri.
“Ky operacion është pjesë e një hetimi më të gjerë, që zgjati disa muaj, i cili ka çuar tashmë në arrestimin e disa individëve. Më 22 shkurt, gjatë një bastisjeje policore në një vilë në Pregassona, u sekuestruan 2.8 kilogramë kokainë, mbi një kilogram kanabis dhe derivate të tij, një pistoletë dhe tre pushkë. Dy italianë, të moshës 47 dhe 46 vjeç, dhe një shtetas rumun 28-vjeçar u arrestuan në atë kohë”, informon media zvicerane.
Hetimet e mëtejshme nga hetuesit çuan, në fillim të prillit, në paraburgimin e dy italianëve, të moshës 57 dhe 34 vjeç, dhe një zvicerane 38-vjeçare.
Policia kantonale po shqyrton gjithashtu pozicionet e të pandehurve të tjerë, kundër të cilëve nuk janë urdhëruar masa kufizuese.