
Behar Bajri, i arrestuar në kuadër të aksionit Metamorfoza nga SPAK konsiderohet si njeriu i intrigave që përplasi grupet kriminale në Shkodër çka pasoi me krime të rënda.
Në dosjen e SPAK ku Behar Bajri bashkë me Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin akuzohen si organizatorë dhe ekzekutorë të Fatbardh Licit me 10 gusht 2018 në Shkodër, thuhet ndër të tjera se është Behari ai që coi në konflikt Ibrahim Licin sot kundërshtar i përbetuar i tyre me Astmer Bilalin. Dhe intriga ishte thurur për vjedhje rosash.
“Duke analizuar komunikimet e lartpërmendura, pamjet filmike dhe vendndodhjet e personave rezulton se personi nën hetim Behar Bajri Brajoviq i’a atribuon vrasjen e shtetasit Boran Bërçana, shtetasit Ibrahim Lici, si dhe përgatit konfliktin ndërmjet shtetasve Ibrahim Lici dhe Astmer Bilali.
Ai i kryen komunikimet me zë të lartë (viva voce) që personat e tjerë të pranishëm të dëgjojnë bisedat ku Ibrahimi referon faktin se Astmeri i ka vjedhur Arjanit rikat.
Pasi krijohet konflikti, Safeti thërret Astmerin që të shkojë në Tiranë në orën nëntë të darkës. Pasi Astmeri vjen në Tiranë, atij i tregohet për faktin që Ibrahimi e ka quajtur atë hajdut dhe aty fillon debati ndërmjet tyre, i cili vazhdon deri në orët e vona të natës”, thuhet në dosje.
Përplasja mes Licit e Bilalit u bë teksa organizonin vrasjen e Fatbardh Licit në shenjë hakmarrje ndaj ekzekutimit të mikut të tyre Boran Bërçana.
Behar Bajri ka përplasur me intrigat e tij edhe boss të tjerë të krimit, ndërsa vrau dhe një prej njerëzve që e konsideronte si mikun e tij, Gjin Ndojin Boriçi. Ky i fundit ishte mik me ish-policin Bërçana. Pasi Bajrat e vranë i shkuan edhe në varrim Boriçit.
Në vrasjen e Fatbardh Licit, Astmer Bilali dhe Behar Bajri që e thërriste Ibrahimin kumbar kanë refuzuar të shkojnë për ngushëllim. Në vrasjen e Fatbardh Licit rezulton e përfshirë edhe E.A e dashura e Safet Bajrit e cila ndodhet tashmë në paraburgim./VNA/