Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në lumin Mat, ku peshkatari Dedë Çoku humbi jetën tragjikisht. Ai kishte dalë së bashku me një shok për të hapur rrjetat e peshkimit, por pasi hyri në ujë, nuk doli më gjallë. Trupi i tij u gjet disa orë më vonë nga polumbarët e RENEAS.
Dedë Çoku ishte një figurë e njohur dhe e dashur në qytetin e Rubikut, i njohur për ndihmesën e tij të vazhdueshme në aktivitetet e Qendrës Kulturore dhe për punën e palodhur në komunitet.
Mes dhimbjes së thellë, djali i tij Danieli, i cili është person me aftësi të kufizuara, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku i jep lamtumirën babait që për të ishte gjithçka.
“Shpirt i bukur më le. Sot ishte dita e fundit që me zërin dhe sytë e tu më frymëzove të vazhdoj një ditë të bukur. Lamtumirë shpirt”, shkroi ai, duke ndarë edhe një fotografi me të atin.