Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Bashkëpunimi”, duke goditur në 24 orët e fundit katër raste të shitjes së lëndëve narkotike në doza në kryeqytet.
Gjatë këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë pesë persona të dyshuar për tregtim të drogës. Mes të arrestuarve është edhe F.M., 24 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në zonën e Kamzës, kryesisht në bulevardin “Nënë Tereza”. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e tij, u sekuestruan doza kokaine.
Gjithashtu, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan Xh.H., 23 vjeç, në pronësi të të cilit u gjetën doza kanabisi të cilat dyshohet se i posedonte për shitje.
Përveç drogës, gjatë operacionit u sekuestruan edhe tre aparate celularë dhe një automjet, që dyshohet se përdorej në aktivitetin kriminal.
Materialet procedurale përkatëse janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.