Gykata e Dibrës vendosi sot caktimin e masës së sigurisë ‘Shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik’ për 26 vjeçarin i cili plagosi me thikë, nënën e tij, Nexhmie Sula, 50 vjeçe.
Ngjarja u regjistrua më 2 gusht në Maqellarë të Dibrës, pas një konflikti në familje.
Nga hetimet paraprake mësohet se Itles Sula pas një periudhe të gjatë në emigracion, vuante nga stresi dhe gjendja depresive.
Ai kishte mbaruar arsimin e lartë. Kurse nëna e tij ishte drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare të Pocestit në Dibër.
Njoftimi i plotë:
Lidhur me çështjen penale Nr. 62 Akti datë regjistrimit 04.08.2025 me objekt: “Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim H.S”, akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’ parashikuar nga neni 88/2 të Kodit Penal.
Gjykata në përfundim të shqyrtimit, me Vendimin nr.62, datë 05.08.2025:
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën i personit nën hetim H. S. (i biri i B. dhe N., i datëlindjes xx.10.1999), i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Plagosja e rëndë me dashje” parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal.
3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik”, parashikuar nga neni 239, i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim H.S., dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Plagosja e rëndë me dashje” parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal.
4. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të arsyetuar të tij.
U shpall në Peshkopi, sot më dt 05.08.2025