Pas hetimeve për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Në Gjurmë”.
Operacioni, i zhvilluar më 1 gusht 2025, kishte si objekt kapjen e shtetasit Kleanth Bylyku, alias Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë, i kërkuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Bylyku është i dyshuar për pjesmarrje në organizimin e vrasjes së shtetasit Renato Hoxhaj, ngjarje e ndodhur më 27 prill 2025, rreth orës 06:20, në lagjen “Hajro Çakërri” të qytetit të Vlorës. Hoxhaj u qëllua me armë zjarri, duke marrë katër plumba në trup dhe kokë, dhe humbi jetën në vendngjarje.
Konferenca e Policisë së Shtetit:
“Në vazhdën e punës hetimore për dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, vetëm tre ditë më parë, më datë 01.08.2025, strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Në Gjurmë”, me objekt kapjen e shtetasit Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë, në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Ndaj tij ishte lëshuar urdhër ekzekutimi i vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për vrasjen e shtetasit Renato Hoxhaj, ndodhur më 27.04.2025, rreth orës 06:20, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës. Viktima u qëllua me armë zjarri, me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend.
Lidhur me këtë ngjarje, falë hetimeve të thelluara dhe analizës së provave të gjetura në vendngjarje, u dokumentua se vrasja ishte e planifikuar dhe e kryer në bashkëpunim me disa persona të tjerë. Si rezultat, janë ndërmarrë këto masa:
* Në muajin prill, u ndalua me iniciativë shtetasi E. M., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”;
* U shpallën në kërkim shtetasi i huaj, me kombësi rumune, D. C., 53 vjeç, me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Për këtë shtetas është lëshuar urdher arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
* Në hetim për këtë vrasje është edhe një shtetas tjetër, me inicialet I. S., 26 vjeç, i vënë në pranga më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për të cilën vijon puna për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale.