Jonaid Myzyri ka dhënë sërish deklarime ditën e sotme në ambientet e SPAK, ku ka qëndruar për rreth dy orë. Ndërkohë, ndaj tij vijon të jetë në fuqi masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, si dhe pezullimi nga detyra si kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike.
Kujtojmë se Myzyri kishte ankimuar këto masa, por Apeli i Posaçëm i ka rrëzuar kërkesat e tij. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK më 24 qershor, në kuadër të hetimeve për një tender prej 2.29 milionë eurosh për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal–Ura e Repsit, me gjatësi 58.7 km.
Myzyri kishte ankimuar në Apelin e GJKKO-së vendimin e shkallës së parë që la në fuqi masat e sigurisë për të, “detyrim paraqitje” dhe “pezullim nga detyra”.
Më 24 qershor, Myzyri u mor i pandehur nga SPAK për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Kreu i KPP po hetohet për disa tendera të zhvilluara gjatë viteve 2019 deri në 2021.
Sipas SPAK, Myzyri dhe shtatë zyrtarë të tjerë kanë favorizuar gjatë një procedure prokurimi një bashkim operatorësh, që kanë depozituar dokumente të falsifikuara.
Jonaid Myzyri e mori detyrën në vitin 2020. Komisioni i Prokurimeve Publike përbëhet nga 5 anëtare, nga të cilët një kryetar dhe një tjetër nënkryetar. Kryetari dhe anëtarët e KPP emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.