Një shtetas 38 vjeçar është vënë në prangat e policisë së Gramshit, ndërkohë që dy shtetas të tjerë përkatësisht 40 dhe 37 vjeç janë shpallur në kërkim.
Sipas policisë, këta shtetas kanë goditur me sende të forta një tjetër person rreth të 40- tave për motive të dobëta.
Njoftimi i policisë:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasin M. T., 38 vjeç dhe referuan materialet në Prokurori ku shpallën në kërkim shtetasit A. M., 40 vjeç, K. K., 37 vjeç.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me send të fortë, shkop bejsbolli, shtetasin L. A., 44 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, gjatë konfliktit, këta shtetas dyshohet se i kanë dëmtuar automjetin 44-vjeçarit. Vijon puna për kapjen e shtetasve A. M., dhe K. K..”