Policia e Elbasanit ka zbuluar dhe goditur një tjetër rast të ushtrimit të prostitucionit në qytet, në kuadër të operacionit të koduar “Booking”, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve nën drejtimin e Prokurorisë.
Pas disa ditësh hetime me metoda proaktive, shërbimet e Policisë zbuluan një apartament të marrë me qira në lagjen “5 Maji”, që përdorej për veprimtari të kundërligjshme. Në përfundim të operacionit u arrestuan dy shtetase nga Kazakistani: A. A., 34 vjeçe, dhe A. A., 27 vjeçe, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në këtë apartament.
Shtetasja shqiptare R. Ç., 42 vjeçe, që kishte dhënë banesën me qira, është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi shuma parash në valuta të ndryshme, tre celularë dhe dokumentet personale të të arrestuarave.
Ky është rasti i tretë i zbuluar brenda pak javësh në Elbasan, ku apartamente janë përdorur për ushtrim prostitucioni nga shtetase të huaja. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.