Detaje nga ngjarja e një nate më parë (4 gusht) ku në fshatin Paçram të Vaut të Dejës u vra me armë zjarri Frrok Lleshaj, 65 vjeç
Fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna nga dëshmitë e deritanishme çka lë dyshime se autorët janë kujdesur për të përdorur një pistoletë me silenciator. Një prej banorëve ka konstatuar trupin e 65 vjeçarit pa shenja jete dhe ka lajmëruar bashkëshorten e tij, e cila më pas ka njoftuar policinë.
Pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima deri më tani. Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90.
Të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një shtetas tjetër nga Puka. Gjithçka nisi në vitin 1991 kur djali i 65 vjeçarit u vra në Greqi. Asokohe u tha se të riun e vrau policia greke në rrethana që nuk dihen por familja e Frrok Lleshaj dyshonte se kishin gisht në këtë ngjarje kushërinjtë e tij.
Pak vite më vonë ka dyshime të forta se 65 vjeçari mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kështu kushëririn Dodë Lleshaj. Pavarësisht dyshimeve dhe akuzave, Frrok Lleshaj nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarje.
Ndërkohë një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën e pranoi në gjykatë dhe për të cilën u dënua me 25 vite burg. Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshaj.
Bashkë me 65 vjeçarin që u qëllua mbrëmjen e 4 gushtit me pistoletë shkon në 5 numri i viktimave për shkak të gjakmarrjes.
Deri më tani nuk ka ende persona konkret të ndaluar. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për vrasjen si dhe familjarë por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.