Dy vëllezër (Emiljano dhe Elton Domi) janë shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit
Sipas uniformave blu, shkak i konfliktit ka qenë parakalimi i automjetit. Nga të shtënat u lëndua 35-vjeçari, teksa mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Dy vëllezër u shpallën në kërkim në Durrës, pasi kanë qëlluar me armë në drejtim të mjetit që qarkullonte dhe drejtohej nga një 35-vjeçar.
Sakaq policia ka nisur punën për kapjen e autorëve të dyshuar.
Qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte një 35-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta me të, identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas (vëllezër).
Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 01:00 të datës 03.08.2025, në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku u qëllua me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi L. Sh., 35 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasit E. D., 46 vjeç dhe E. D., 40 vjeç, vëllezës, të dy banues në fshatin Xhafzotaj.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pasi janë konfliktuar verbalisht, me 35-vjeçarin, për parakalimin me automjet, vëllezërit kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai.
Nga të shtënat u dëmtua 35-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Punohet intensivisht për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.