Policia e Kavajës ka arrestuar një 47-vjeçar, banues në Kavajë, i cili dyshohet se shkaktoi zjarrin që përfshiu një sipërfaqe të madhe me pemë frutore në fshatin Kryeluzaj.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari, me iniciale G. B., kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturina në tokën e tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në zonën përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Policia ndërhyri menjëherë pas marrjes së informacionit dhe arriti ta identifikojë dhe ta arrestojë autorin e dyshuar brenda një kohe të shkurtër. Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurorinë e Durrësit.
Gjithashtu Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura, si dhe të mos hedhin cigare të ndezura në afërsi të pyjeve apo tokave të mbjella, për të parandaluar ngjarje të ngjashme.