Aktualitet

Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës dhe Zerqan ende aktiv, 33 hektarë të përfshirë nga flakët

Shkruar nga Liberale.al

Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës dhe Zerqan ende aktiv, 33

Situata nga zjarret në veri të vendit mbetet serioze, me disa vatra ende aktive në Parkun Kombëtar të Lurës dhe në zonën e Zerqanit. Terreni i thyer dhe erërat kanë vështirësuar përpjekjet e forcave operacionale për të vënë flakët nën kontroll.

Në Parkun e Lurës, dy vatra janë ende të pakontrolluara. Njëra prej tyre po përhapet në drejtim të Liqenit të Zi, ku janë përqendruar forcat në terren, por zjarri me intensitet të lartë dhe rruga e vështirë malore po e bëjnë të pamundur izolimin e plotë të flakëve.

Vatra tjetër ndodhet në zonën e sipërme të Malit të Dejës, e cila për momentin mbahet nën monitorim, për shkak të sipërfaqes së gjerë që ka përfshirë.

Sipas raportimeve, një vatër që po zhvendosej nga fshati Gurë Lurë është shuar plotësisht, duke mos paraqitur më rrezik për banorët dhe zonën përreth.

Tymi i dendur që ka mbuluar zonën vjen nga trungjet e pishës dhe ahut, të cilat janë grumbulluar ndër vite brenda zonës së djegur dhe vijojnë të digjen ngadalë, duke e mbajtur vatrën aktive.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri që u aktivizua në zonën e Livadhit të Peladhisë (Njësia Zerqan) është zhvendosur sot drejt Njësisë Administrative Shupenzë, mbi fshatin Krajkë. Vatra ndodhet në një zonë me dushqe dhe shkurre, ku terreni i thyer po pengon operacionin e shuarjes.

Vatra mbi fshatin Vlashë është shuar tërësisht një ditë më parë.

Deri më tani, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 33 hektarësh, e përbërë kryesisht nga dushqe, shkurre dhe barishte.

Liberale Newsroom

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Qeveria e re a duhet të ketë në përbërjen e saj edhe ministra nga diaspora?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH