
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri në vend, prej të cilave 2 mbeten aktive në bashkitë Elbasan dhe Finiq. Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura po punojnë intensivisht për fikjen e tyre, duke përdorur automjete zjarrfikëse, mjete të rënda dhe helikopterë.
Në Elbasan, zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve vazhdon të jetë i pakontrolluar, ndërsa në Finiq vatra në fshatin Grazhdan ka përfshirë edhe zonën me pisha në Malçan, ku ndërhyrja po vështirësohet nga terreni.
Instituti i Gjeoshkencave ka shpallur nivel rreziku të lartë për qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40°C. Apelohet për kujdes maksimal dhe shmangie të veprimeve që mund të shkaktojnë zjarre. Çdo rast zjarri duhet të njoftohet menjëherë pranë autoriteteve vendore.