Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri në disa zona të vendit, prej të cilave 18 janë shuar ndërsa 3 vijojnë të jenë aktive.
Situata më problematike paraqitet në qarqet Vlorë, Berat dhe Fier, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe pyjore dhe zona të banuara, duke kërkuar ndërhyrje intensive nga forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, strukturat vendore dhe vullnetarët.
Pavarësisht përpjekjeve për shuarjen e vatrave, rreziku mbetet i lartë, veçanërisht për shkak të kushteve atmosferike, ndërsa autoritetet janë në gatishmëri për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurisë.
Qarku Vlorë – Malet mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq. Zjarri vijon të përhapet mbi zonat Cerkovicë, Llupsat dhe Shëndre, në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të ulët.
Në terren për izolimin e plotë janë angazhuar: 34 efektivë me 10 automjete zjarrfikëse nga MZSH-të e Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe Dropullit, 30 forca vullnetare, forca bashkiake, të pyjores si dhe 30 efektivë të FA me mbështetje ajrore po nga Forcat e Armatosura.
Qarku Berat – Zona e ish-Uzinës Mekanike Poliçan, ku në terren ndodhen 7 automjete zjarrfikëse, 40 efektivë të MZSH nga Poliçani, Berati dhe Skrapari, 20 forca bashkiake si dhe 1 automjet zjarrfikës me ekipin nga FA. Forcat po punojnë për izolimin e plotë të zjarrit me kujdes të shtuar për shkak të zonës.
Qarku Fier – Fshati Lofkënd, bashkia Mallakastër:
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, me përhapje për shkak të erës. Forcat në terren po punojnë për izolimin e tij.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan: 41 automjete zjarrfikëse dhe 314 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 30 efektivë, 3 automjet zjarrfikëse me ekuipazh dhe mbështetje nga ajri.
Sipas parashikimeve nga IGJEO, sot nuk priten reshje. Sa u përket zjarreve, sot pritet rrezik i lartë në qarkun Fier, rrezik i ulët në Kukës, Dibër, Korçë dhe rrezik i moderuar në qarqet e tjera.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e mëtejshëm të forcave në terren dhe mbështetjen e çdo strukture me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët.