Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi që synon trajnimin e përkthyesve zyrtarë. Ky hap vlerësohet si një veprim strategjik për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe përparimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Marrëveshja ka për qëllim të rrisë cilësinë e përkthimit të legjislacionit dhe dokumentacionit të Bashkimit Europian, duke siguruar trajnim të vazhdueshëm dhe ngritjen e një grupi profesionistësh të kualifikuar në këtë fushë.
“Përkthyesit janë një hallkë kyçe për garantimin e saktësisë dhe cilësisë së çdo akti ligjor që përkthehet dhe përshtatet për sistemin tonë juridik. Me këtë nismë, ne forcojmë administratën, rrisim standardet dhe ecim më të vendosur drejt Europës dhe shtetit të së drejtës,” u shpreh ministri Manja gjatë ceremonisë së nënshkrimit.