Data 31 korrik është caktuar si dita e fundit për lirimin vullnetar të hapësirave publike të zëna pranë akseve rrugore kombëtare. Kryeministri Edi Rama ka theksuar se pas këtij afati do të ketë masa ndëshkuese për të gjithë subjektet që refuzojnë të zhvendosen.
“31 Korriku është afati i fundit për lirimin vullnetarisht të hapësirave nga subjektet e vendosura pranë akseve kombëtare, të cilat janë kthyer në rrezik për sigurinë rrugore. Penalizime për të gjithë ata që refuzojnë të zhvendosen,” – ka deklaruar Rama në një reagim publik.
Të njëjtin mesazh ka përsëritur edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi në aksin Kamëz–Laç. Ajo u shpreh se kjo është një reformë e thellë, që po zbatohet në të gjithë territorin e vendit dhe që do të përfundojë me vendosmëri.
“Do të ketë penalizime për të gjithë ata që kryejnë shkelje. Kjo nuk është një nismë e përkohshme, por një reformë që prek të gjitha hapësirat publike, nga tendat e deri tek parkingjet e vendosura në mënyrë të paligjshme. Nga veriu në jug, do të shkojmë deri në fund, dhe për këtë kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve,” – tha Balluku.
.