Gjykata e Kukësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Imer Shpatën, 58 vjeç, nga fshati Bujan i Tropojës, i dyshuar si autor i një ngjarje të mundshme kriminale, që ka lidhje me zhdukjen e bashkëshortes së tij, Nadire Shpata, 48 vjeçe.
Prej më shumë se një jave gruaja rezulton e zhdukur, pasi sipas familjarëve ishte larguar nga banesa për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Denoncimi për zhdukjen e saj u bë më 22 korrik, ndërsa që prej asaj dite strukturat e Policisë së Tropojës po zhvillojnë kërkime të pandërprera, deri edhe në Gjakovë të Kosovës.
Ndërkaq, burime pranë hetimit bëjnë me dije se dyshimet kryesore lidhen me faktin se konflikti mes çiftit ka qenë i vazhdueshëm dhe i shoqëruar me dhunë, ndërsa mungesa e çdo komunikimi apo gjurmë të Nadire Shpatës, ka shtuar dyshimet për një ngjarje kriminale.
Telefoni i saj u gjet në makinën e tij, ç’ka ngriti dyshime për përfshirjen e Imerit në ngjarjen kriminale. 58-vjeçari ka deklaruar se telefoni mund të jetë harruar nga gruaja, pasi edhe ajo përdorte makinën.
Aktualisht, policia vijon kërkimet në zonat malore të Tropojës, ndërkohë që pritet përfundimi i veprimeve hetimore për të hedhur dritë mbi fatin e 48 vjeçares, nënë e 3 fëmijëve.