Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në “Zonën e Treshit”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi R. Ç., 27 vjeç ditën e djeshme. Pas hetimeve , u identifikuan katër shtetas, tre prej të cilëve u arrestuan, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve, u arrestuan shtetasit B. N., 47 vjeç, A. Ll., 42 vjeç, dhe I. K., 51 vjeç, përkatësisht për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, dhe “Moskallëzim i krimit”. Po ashtu, shpallet në kërkim shtetasi S. N., 35 vjeç.
Sipas hetimeve të para, rezultoi se shtetasit B. N., 47 vjeç, A. Ll., 42 vjeç dhe S. N., 35 vjeç , gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, kanë plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin R. Ç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa shtetasi I. K., 51 vjeç, nuk ka kallëzuar për ngjarjen.
Po ashtu, është raportuar edhe një tjetër person, shtetasi G. Sh., i cili ka mbetur i dëmtuar lehtë gjatë përplasjes.
Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit me të cilën u plagos 27-vjeçari.
Sekuestrohen 1 automjet, që dyshohet se është përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes si dhe sende të tjera të kundraligjshme të vlefshme për hetimin.