Dy konflikte të dhunshme për motive të dobëta janë shënuar së fundmi në Shkodër dhe në zonën turistike të Thethit, duke përfunduar me plagosjen e dy personave dhe arrestimin e tre autorëve të dyshuar.
Ngjarja e parë ka ndodhur në lagjen “Tre Heronjtë” në qytetin e Shkodrës, ku gjatë një konflikti fizik, dy vëllezër – B. B., 38 vjeç dhe B. B., 41 vjeç – dyshohet se kanë goditur me sende të forta dhe me thikë një 42-vjeçar, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia i ka arrestuar të dy për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Mjeti prerës është sekuestruar si provë materiale.
Ndërkohë, në fshatin Nderlysaj të Thethit, një 25-vjeçar, F. Th., dyshohet se ka goditur me thikë një 28-vjeçar gjatë një tjetër konflikti për motive të dobëta. Edhe ky i plagosur ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Autori është arrestuar nga Policia dhe ndaj tij rëndojnë të njëjtat akuza si në rastin e parë.
Në të dyja rastet, materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.