Përcillet sot për në banesën e fundit efektivi i policisë së forcave “Shqiponja ” , 28 vjeçari Novruz Cenalia, i cili u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz, Fier.
Ndërsa në hollin e Teatrit Bylis në Fier është vendosur arkmorti me trupin e pa jetë të efektivit të policisë ku do të kryhen homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe autoritete për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Më pas arkmorti me trupin e tij do të përcillet në banesën e fundit në varrezat e fshatit Baltëz.
Kujtojmë se efektivi i policisë Novruz Cenalia u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz pas një konflikti të çastit me 23-vjeçarin Azgan Mernica, i cili vijon të jetë në arrati.
Prej dy ditësh forcat e policisë, forcat speciale RENEA kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete të jugut të vendit, pasi Mernica është i armatosur.