Një përleshje e ashpër pranë një hoteli në Dhërmi ka tronditur pushuesit vendas dhe të huaj, pas publikimit të pamjeve nga JOQ Albania. Incidenti, që ndodhi gjatë ditëve të fundit, përfshiu disa të rinj me lidhje të ngushta me botën e politikës dhe showbiz-it shqiptar.
Sipas dëshmive të qytetarëve që ishin aty, sherri nisi për shkak të konflikteve të mëparshme dhe një vajze, e cila dyshohet të jetë shkaku kryesor i grindjes. Në video duken grushte dhe shkelma, ndërsa një prej të rinjve që goditet rëndë është Deni Selimllari, djali i ish-Miss Shqipërisë, Valbona Selimllari. Ndërsa agresori kryesor është Leon Frroku, nipi i ish-deputetit Mark Frroku.
Në përleshje ishin të përfshirë edhe Kejni Selimllari, vëllai i Denit, dhe nipi i ish-ministrit Lefter Koka.
Megjithë faktin se përleshja ndodhi në një zonë shumë turistike dhe pamjet u bënë virale, autoritetet nuk kanë reaguar ende publikisht dhe nuk ka informacione për ndërhyrje të menjëhershme. Kjo heshtje ka ngritur dyshime për ndikimin e lidhjeve të përfshirëve me figura publike në mungesën e ndëshkimeve.