Në qytetin e Kukësit ka nisur dhe po vijon zbatimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike, në kuadër të urdhrit të dhënë nga kryeministri Edi Rama për të gjithë territorin e vendit.
Sipas nënkryetarit të Bashkisë Kukës, Fadil Morina, ky aksion ka si synim kryesor rikthimin e hapësirave publike për qytetarët.
“Fillimisht zona është kontrolluar nga task-forca dhe është bërë identifikimi i bizneseve që kanë zënë trotuaret dhe hapësirat publike,” tha Morina.
Ai theksoi se Bashkia Kukës nuk është kundër bizneseve, por dëshiron që qytetarët të kenë akses të lirë në hapësirat që u përkasin.
“Ne nuk jemi për ndëshkim, por për ndërgjegjësim. Në shumicën e rasteve, bizneset kanë bashkëpunuar dhe janë treguar mirëkuptues. Shpresojmë që ky frymë bashkëpunimi të vazhdojë edhe në ditët në vijim,” shtoi ai.
Pas fazës së paralajmërimeve, Bashkia do të vijojë me marrjen e masave administrative ndaj atyre që nuk do të lirojnë hapësirat publike.
Bashkia Kukës bën thirrje për bashkëpunim nga të gjithë qytetarët dhe bizneset, duke kërkuar që lirimi i hapësirave të bëhet vullnetarisht, për të shmangur ndërhyrjet dhe ndëshkimet e mëtejshme.