Kodi i ri Penal parashikon burg edhe për braktisjen e ose keqtrajtimin e kafshëve.
Braktisja e kafshës nga cilido që ka përgjegjësi mbi të në kushte që mund të rrezikojnë jetën ose integritetin fizik të saj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Por edhe veprime që shkaktojnë vuajtjen ose torturimin e kafshëve do të dënohet deri në tre vite burg, sipas Kodit të ri Penal.
Neni 943 - Dëmtimi i kafshëve shtëpiake
1. Shkaktimi te një kafshe shtëpiake, të zbutur, të stërvitur apo që jeton përkohësisht apo në mënyrë të vazhdueshme nën kontrollin njerëzor, jashtë veprimtarive të rregulluara ligjërisht dhe me çdo mjet ose procedurë, të një dëmtimi të përhershëm ose të përkohshëm, përfshi aktet me natyrë seksuale, për të cilat kërkohet trajtim veterinar për rikthimin e shëndetit të kafshës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
2. Po kjo vepër, e kryer ndaj një kafshe vertebrore që nuk përfshihet në kategoritë e lartpërmendura, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
3. Kur, nga kryerja e veprës së parashikuar në paragrafin e parë shkaktohet ngordhja e një kafshe shtëpiake, të zbutur, të stërvitur ose që jeton përkohësisht ose përgjithmonë nën kontrollin e njeriut, dënimi shtohet deri në një të dytën e tij.
4. Kur, nga kryerja e veprës së parashikuar në paragrafin e parë shkaktohet ngordhja e një kafshe vertebrore të ndryshme nga ato të përmendura në paragrafin e tretë të këtij neni, dënimi shtohet deri në një të dytën e tij.
5. Kur për dëmtimet e shkaktuara nga kryerja e kësaj vepre nuk kërkohet trajtim veterinar ose kafsha është keqtrajtuar rëndë pa i shkaktuar dëmtime, dënohet me gjobë ose me një dënim plotësues të përshtatshëm për natyrën e veprës penale të kryer.
Neni 944 - Braktisja e kafshëve
Braktisja e kafshës nga cilido që ka përgjegjësi mbi të në kushte që mund të rrezikojnë jetën ose integritetin fizik të saj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 945 -Dëmtimi i personave nga kafsha pa kontroll
1. Kur nga moskontrollimi i kafshës së shoqërimit ose, nga mosvendosja e maskës mbrojtëse kafshës së shoqërimit, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, kanë ardhur pasoja në dëm të shëndetit të një personi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në gjashtë muaj.
2. Kur nga vepra penale ka ardhur dëmtimi i rëndë ose vdekja e një personi, dënohet sipas dispozitës së pjesës së posaçme të këtij Kodi në varësi të formës së fajit të shfaqur nga personi që nuk kontrollon kafshën.
Neni 946 - Ndeshjet ndërmjet kafshëve
1. Promovimi, organizimi ose drejtimi i ndeshjeve ndërmjet kafshëve që shkaktojnë vuajtjen ose torturimin e kafshëve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
2. Dhënia e kafshëve për ndeshje, rritja ose trajnimi i kafshëve me qëllim përdorimin apo shitjen për ndeshje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
3. Vënia e basteve në ndeshje të zhvilluara midis kafshëve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy muaj.
4. Në rast se nga kryerja e kësaj vepre penale ndodh dëmtimi apo vdekja e kafshës, vepra konkurron veprën penale të parashikuar në paragrafin përkatës të nenit 943.