Aktualitet

Kodi i ri Penal: Burg kush fyen, gjobë e rëndë dhe procedim penal për shpifjen (rëndohet nëse publikohet nga mediat)

Shkruar nga Liberale

Kodi i ri Penal: Burg kush fyen, gjobë e rëndë dhe procedim penal

Kodi i ri penal ka ashpërsuar masat për fyerjen, Përhapjen e materialeve raciste ose ksenofobike dhe shpifjen, sikurse ka edhe paqartësi. Shpifja nuk do të dënohet me burg,  por do të quhet “vepër penale”  dhe nëse është kryer nëpërmjet shtypit do të jetë më e rëndë. Masat mund të cënojnë lirinë e shprehjes. “Procedimi penal nuk e pengon viktimën t’i drejtohet edhe gjykatës civile”, thuhet në masat e reja të Kodit të ri Penal.

Sipas nenit 765 të Kodit të ri Penal,  “Fyerje e rëndë do të vlerësohet të jetë veprimi, fjala apo shprehja që për shkak të natyrës, pasojave, rrethanave në të cilat është bërë apo zakoneve të mira që prek, përbëjnë shqetësim për opinionin publik” dhe ajo me gjobë ose deri në dy muaj burg. Por mbetet e paqartë se cili është indikatori që mat “shqetësimin publik”.

Ja çfarë parashikon Kodi i ri Penal

Neni 765             

Fyerja

1. Për qëllim të ligjit penal, përbën fyerje çdo veprim, fjalë ose shprehje që cenon dinjitetin e një personi tjetër, ose dëmton vetëvlerësimin e viktimës. Fyerje e rëndë do të vlerësohet të jetë veprimi, fjala apo shprehja që për shkak të natyrës, pasojave, rrethanave në të cilat është bërë apo zakoneve të mira që prek, përbëjnë shqetësim për opinionin publik.

2. Fyerja përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

3. Kur kundërvajtja penale është bërë në mënyrë publike, nëpërmjet çdolloj mjeti të përhapjes së informacionit, dënimi shtohet me një të tretën e tij.

4. Procedimi penal fillon me kërkesë të viktimës dhe pushon kur ajo ose përfaqësuesi i saj ligjor, heq dorë nga kërkesa.

5. Fyerja e rëndë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy muaj.

6. Fyerja e rëndë, e kryer në mënyrë publike kur është përhapur me anë të shtypit, transmetimeve radiofonike ose me çdo mjet tjetër të ngjashëm, përbën kundërvajtje penale dhe e shton dënimin deri në një të tretën e tij.

7. Personi i akuzuar për fyerje përjashtohet nga përgjegjësia në rastin kur provon të vërtetën mbi veprimet ose shprehjet e drejtuara kundër zyrtarëve publikë për fakte që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës ose kryerjen e kundërvajtjeve administrative.

Neni 766             

Përhapja e materialeve raciste ose ksenofobike

1. Përhapja në publik me çdo formë e trakteve, thirrjeve, fotografive, pamjeve ose çdo materiali tjetër me përmbajtje fyese, raciste ose ksenofobike, për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, racës apo fesë me synimin e fyerjes së viktimës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

2. Ofrimi ose përhapja e qëllimshme në publik, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e materialeve me përmbajtje raciste ose ksenofobike, për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, racës apo fesë me synimin e fyerjes së viktimës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Neni 767             

Shpifja

1. Përhapja e qëllimshme e deklaratave rreth një fakti specifik të rremë dhe ofendues, si dhe/apo çdo informacioni tjetër të rremë, që cenojnë nderin, vetëvlerësimin apo degradojnë reputacionin e personit apo institucionit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion e pesëqind mijë lekë dhe dënimin plotësues të përgënjeshtrimit dhe faljen publike ndaj viktimës.

2. Nëse vepra penale është kryer nëpërmjet shtypit ose ndonjë mjeti tjetër komunikimi mediatik, elektronik, nëpërmjet rrjeteve sociale në internet, ose nëpërmjet një akti publik, dënimi shtohet deri në dyfishin e parashikuar në paragrafin e parë.

3. Nëse vepra penale i drejtohet një përfaqësuesi të një organi politik, administrativ ose gjyqësor, ose një anëtari të tyre që funksionon në mënyrë kolegjiale, dënimet e parashikuara në paragrafin e parë apo të dytë shtohen deri me një të dytën.

4. Cilido që ka kryer ndonjë prej veprimeve të parashikuara në këtë nen në gjendje zemërimi nuk ka përgjegjësi penale, nëse kjo gjendje dhe këto veprime janë kryer menjëherë si pasojë e një fakti të padrejtë të të tjerëve ndaj tij.

5. Procedimi penal fillon me kërkesën e viktimës apo të përfaqësuesit të saj ligjor dhe çështja pushohet kur ajo heq dorë nga ankimi.

6. Kur vepra penale e shpifjes është kryer apo përhapur nga personi juridik i tij, gjykata vendos edhe detyrimin e publikimit të vendimit gjyqësor penal nëpërmjet medias apo në komunitet dhe, përgënjeshtrimin bashkë me faljen publike të tij.

7. Procedimi penal nuk e pengon viktimën t’i drejtohet edhe gjykatës civile.

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH