Prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhër-arresti për Ilirjan Selmanin, i cili akuzohet si autori i dyshuar i vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço. Ai u ndalua më herët nga policia, ndërsa gjatë marrjes në pyetje ka mohuar të ketë lidhje me krimin.
Megjithatë, policia dhe prokuroria kanë mbledhur prova të mjaftueshme që dokumentojnë dinamikën e ngjarjes që nga momenti i vrasjes e deri te largimi i autorit nga banesa e viktimës.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës. Selmani ndodhej në banesën e Kozeta Teços, me të cilën kishte një lidhje disa-vjeçare. Dyshohet se mes tyre ka nisur një konflikt i çastit, i cili ka degjeneruar në dhunë dhe më pas në vrasje brutale të 52-vjeçares. Pas krimit, autori dyshohet se i ka vënë flakën banesës për të fshehur gjurmët.
Ilirjan Selmani njihej nga policia si përdorues i lëndëve narkotike dhe shpesh shfaqte sjellje të paqëndrueshme për shkak të problemeve mendore. Edhe viktima, sipas të afërmve, kishte shfaqur së fundmi shqetësime të shëndetit mendor.
Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tronditëse vijojnë.