Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e ish-drejtorit të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla, për ndryshimin e masës së sigurisë nga burg në arrest shtëpie. Dosja ndaj tij vazhdon në fazën e gjykimit, ku Prokuroria po marrë në pyetje dëshmitarët lidhur me skemën e korrupsionit të njohur si “5D”.
Redi Molla akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të të ardhurave. Më 17 qershor, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dënoi pesë persona me total 4 vite burgim në kuadër të dosjes “5D”, që lidhet me skemat korruptive në Bashkinë e Tiranës.
Një pjesë e hetimeve përqendrohet tek tenderi i “Tirana Parking”, ku Eglantina Zere, si titullare e autoritetit kontraktor, së bashku me anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, u akuzuan se favorizuan firmën 5D për rikonstruksionin e parkimit pranë stadiumit “Selman Stermasi” në tetor të vitit 2019.
Kjo çështje është pjesë e një hetimi më të gjerë mbi korrupsionin në tenderat e Bashkisë së Tiranës dhe vijon të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.