Pasditen e sotme, qyteti i Fierit është përfshirë nga dy vatra zjarri, duke shkaktuar shqetësim dhe rrezik për zonat përreth. Sipas informacioneve paraprake, njëri zjarr është konstatuar në afërsi të fshatit Daullas, ndërsa tjetri në periferi të qytetit.
Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha toke bujqësore dhe kallamisht, duke gjeneruar re të dendura tymi që janë shpërndarë edhe mbi zonat e banuara. Banorët shprehen të shqetësuar për përhapjen e zjarrit dhe për efektet që tymi mund të ketë në shëndetin e tyre.
Forcat zjarrfikëse janë angazhuar në terren dhe po punojnë për të vënë nën kontroll flakët, megjithatë ndërhyrja e tyre po has vështirësi për shkak të erës së fortë, e cila favorizon përhapjen e shpejtë të zjarrit në terren.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së këtyre zjarreve, por autoritetet lokale kanë nisur hetimet dhe njëkohësisht u bëjnë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal. Në kushtet e temperaturave të larta dhe thatësisë së madhe, çdo veprim i pakujdesshëm mund të çojë në situata të rrezikshme dhe të pakontrollueshme.