Dy persona janë vënë nën hetim nga Policia e Kavajës, pasi dyshohet se kanë shkaktuar zjarr në dy fshatra të zonës.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur policia mori njoftim për zjarre në fshatin Gosë e Madhe dhe Luz i Madh. Pas ndërhyrjes së shpejtë, u identifikuan si autorë të dyshuar dy banorë të zonës: R. S., 66 vjeç dhe F. K., 70 vjeç.
Sipas hetimeve, ata kanë ndezur zjarr për të djegur mbeturina, por flakët janë përhapur dhe kanë djegur sipërfaqe toke në pronësinë e tyre. Të dy shtetasit do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
Policia e Durrësit u bën thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, pasi kjo përbën rrezik për mjedisin dhe sigurinë e jetës. Çdo rast i tillë mund të denoncohet në numrin falas 112, ku ofrohet reagim i shpejtë dhe anonim.