Dhoma e Avokatisë Berat ka reaguar ashpër ndaj Draft-Kodit të ri Penal, i cili po shqyrtohet aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Dhomës, Avokati Erion Ismailaj, paralajmëroi se ky projektligj rrezikon seriozisht profesionet e lira, duke përfshirë avokatët, kontabilistët dhe përkthyesit.
Sipas tij, drafti kriminalizon pagesat profesionale, duke cënuar jo vetëm të ardhurat legjitime të këtyre profesioneve, por edhe pavarësinë dhe funksionin e tyre të lirë në shoqëri.
“Ky ligj nuk garanton mbrojtjen e profesionistëve të pavarur, përkundrazi, i vendos ata në rrezik penal për ushtrimin normal të punës së tyre,” – u shpreh Ismailaj.
Dhoma e Avokatisë i bën thirrje Kuvendit që të rishikojë me kujdes draftin, dhe të përfshijë në debat përfaqësues të profesionistëve të prekur, për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar.