Aktualitet

Debat në Këshillin Bashkiak Shkodër për prishjet në Theth: Politike apo zbatim i ligjit?

Shkruar nga Liberale.al

Debat në Këshillin Bashkiak Shkodër për prishjet në

Situata e prishjes së ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit ka qenë në qendër të debatit në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Shkodër.

Këshilltarja e Partisë Demokratike, Gloria Shllaku, ngriti shqetësimin për mënyrën dhe kohën kur janë bërë këto ndërhyrje. Ajo tha se veprimet e autoriteteve kanë dëmtuar banorët pikërisht në kulmin e sezonit turistik.

“Nuk jam kundër ligjit dhe nuk mbështes ndërtimet pa leje, por në Theth janë prishur shtëpi të vjetra, të ndërtuara nga të parët tanë, në një kohë kur mungon ende një ligj i qartë për pronësinë në atë zonë. Kjo ndërhyrje, për mua, ka qenë politike,” u shpreh Shllaku.

Në përgjigje, zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, sqaroi se ndërhyrjet janë bërë mbi bazë të verifikimeve dhe dokumenteve zyrtare nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT).

“Ndërtimet që janë prishur nuk kanë qenë vila shekullore, por struktura të reja të ngritura pa leje. Procesi ka nisur me kohë dhe korriku ishte vetëm faza e zbatimit të vendimeve. Është e kuptueshme që banorët ndihen të prekur, por më keq do të ishte të vazhdohej pa ndërhyrje edhe për një vit tjetër,” tha Preka.

Ndërkohë, edhe pse debati vazhdon, zona e Thethit pritet të përfitojë nga investimet e reja që do të vijnë përmes “Paketës së Maleve”, një projekt që synon zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike në zonat malore.

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH