Avokati i Popullit ka nisur një proces verifikimi lidhur me mënyrën se si është realizuar shoqërimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit drejt një klinike private, ku ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës iu nënshtrua analizave mjekësore.
Hetimi administrativ është ndërmarrë për të garantuar se procedura është ndjekur në përputhje me ligjin dhe se nuk janë cenuar të drejtat e të paraburgosurit. Ky proces po zhvillohet në bashkëpunim me Komisionerin për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prenci, i cili ka komunikuar drejtpërdrejt me Veliajn për të marrë informacion mbi trajtimin e tij.
Qëllimi i verifikimeve është të sigurohet që nuk ka pasur keqtrajtim, privilegje të paligjshme apo shkelje të standardeve të trajtimit të të paraburgosurve. Ndërkohë, priten edhe të dhëna nga institucionet përgjegjëse për të ndriçuar tërësisht rrethanat e kësaj lëvizjeje jashtë paraburgimit.