Studiuesi dhe eksperti i trashëgimisë kulturore, Auron Tare, ka bërë një thirrje publike për të shpëtuar urat e vjetra mbi Luginën e Vjosës, të cilat sipas tij janë dëshmi historike të jashtëzakonshme që po zhduken në heshtje.
Përmes një postimi në Facebook, Tare thekson se këto ura kanë shërbyer për dekada si e vetmja mënyrë komunikimi midis fshatrave, duke lidhur komunitete dhe duke lehtësuar jetën rurale në zonë.
“Të ndërtuara me beton arme, struktura metalike dhe kavo çeliku, ato i kanë rezistuar kohës deri më sot edhe pse janë lënë në harresë. Me shumë pak ndërhyrje, ato mund të restaurohen dhe të kthehen në atraksione turistike,” shkruan Tare.
Ai sugjeron që përveç riparimit teknik, mund të vendosen edhe tabela informuese, që të tregojnë historinë e tyre në periudhën komuniste si një formë e rrallë e komunikimit rural.
Tare ngre shqetësimin për mënyrën se si fondet publike për zhvillimin turistik po shpërdorohen, duke sjellë si shembull projektin për një zipline në Përmet, i cili sipas tij nuk ka asnjë lidhje me historinë apo nevojat e zonës. Po ashtu, përmend ndërtimin e një info-pointi gjigand në një zonë natyrore me rëndësi si “Guri i Qytetit”, ndërkohë që qyteti tashmë ka një zyrë funksionale informacioni.
“Me një të dhjetën e fondeve që harxhohen për projekte pa ndikim, mund të restaurohen urat prej çeliku të Vjosës, jo vetëm si simbol i trashëgimisë, por edhe si pikë e fortë për turizmin e qëndrueshëm,” përfundon ai.