Një aksident tragjik në Wohlen, Zvicër, ka marrë jetën e dy adoleshentëve dhe ka plagosur rëndë një të tretë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes, kur një automjet "Mercedes Benz" doli jashtë rruge dhe u përplas me murin e një banese. Mjeti drejtohej nga një 16-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili nuk kishte leje drejtimi.
Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 04:45 në një zonë me kufizim shpejtësie prej 30 km/h. Dy adoleshentët, 16 dhe 19 vjeç, humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër 19-vjeçar zviceran u plagos rëndë dhe u dërgua në spital.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve, duke marrë mostra gjaku dhe urine nga drejtuesi i mjetit. Automjeti i përkiste vëllait të të miturit, ndërsa policia thekson rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut për parandalimin e tragjedive të tilla.