Peshëngritja shqiptare ka përpara një eveniment shumë të rëndësishëm, siç është Kampionati Europian, aktivitet që po mbahen në Sofje të Bullgarisë që prej datës 12 shkurt.
Kombëtarja Kuqezi është përfaqësuar në këtë event me shtatë shtangistë, dhe shtangisti i parë që do të ngjitet në pedanë është një emër i njohur si Briken Calja, ishkampion i trefishtë i Europës.
Calja do të konkurojë nesër në mbrëmje në kategorinë e peshës 73 kg, dhe gara e tij fillon në orën 19:00. Ai synon të sigurojë normën për Olimpiadën e Parisit në vitin 2024 dhe tashmë ka fituar betejën e parë duke zbritur në peshën olimpike 73 kg. Pas tij, më datën 16 shkurt, do të vijë radha e Erkand Qerimajt dhe Kristi Ramadanit në kategorinë e peshës 81 kg.
Qerimaj do të garojë në orën 19:00 në Baterinë A, ndërsa Ramadani do të fillojë garën e tij në orën 13:00 në Baterinë B. Në vazhdim, më datën 17 shkurt, talenti i peshëngritjes Ertjan Kofsha do të hyjë në garën ndërkombëtare për të rritur për herë të parë. Shtangisti nga Shtërmeni do të garojë në kategorinë e peshës 89 kg në Baterinë A, me fillimin e garës në orën 16:00.
Përfaqësimi i Kuqezinjëve në Sofje vazhdon me Ermand Tabakun më datën 18 shkurt në kategorinë e peshës 96 kg në Baterinë B, me fillimin e garës në orën 10:00.
Kampionati përfundon më datën 19 shkurt në orën 09:00 me garën në Baterinë B të peshës 109 kg, në të cilën do të garojnë sportistët Albert Meta dhe Franko Ferra. Vihet re se aktualisht Shqipëria nuk ka asnjë sportist të kualifikuar me normë për Olimpiadën, gjë që ndodh në herë të parë në dekada. Kampionati Europian është eventi i parafundit i kualifikimit për Olimpiadën e Parisit në vitin 2024. Biletat e fundit të kualifikimit do të ndahen në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Phuket të Tajlandës nga 31 marsi deri më 11 prill.