Egnatia është shumë pranë realizimit të ëndrrës së madhe europiane. Pas fitores me rezultat 0-2 në transfertë ndaj Dinamo Minsk, skuadra nga Rrogozhina ka bërë një hap të rëndësishëm drejt kalimit të turit në kupat e Europës — një sukses që më parë i ka shpëtuar gjithnjë nga duart.
Ndryshe nga herët e kaluara, këtë herë skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova tregoi pjekuri taktike dhe kontroll të mirë gjatë gjithë ndeshjes në një ambient shumë të vështirë. Dy golat e shënuar janë një goditje e fortë për rivalët, ndërsa mbarë ndeshja u menaxhua me disiplinë dhe maturi, duke i dhënë Egnatias një avantazh të sigurt për ndeshjen e kthimit në Rrogozhinë.
Kjo është tentativa e pestë e Egnatias për të kaluar një tur në kupat e Europës, pas katër përpjekjeve të dështuara më parë ndaj skuadrave Ararat, Borac, Vikingur dhe Breidablik. Tani, me një avantazh të dyfishtë dhe me mbështetjen e fortë të tifozëve në shtëpi, Egnatia është më afër se kurrë për të thyer këtë mallkim dhe për të shkruar një kapitull të ri në historinë e klubit.
Për Egnatinë, kualifikimi nuk është më thjesht një dëshirë, por një detyrim. Me një kundërshtar të dobësuar moralisht dhe avantazhin në duar, çdo gjë varet nga vetë skuadra. Nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi, do të jetë një dështim i madh për klubin që ka investuar shumë në eksperiencë, organizim dhe forcë karakteri.
Kjo ndeshje është prova më e madhe për Egnatinë dhe një mundësi për të treguar se është gati për t’u ngjitur në arenën europiane. Përfundimi i këtij kapitulli me sukses do të jetë një moment historik, ndërsa ndryshe përgjegjësitë do të jenë brenda shtëpisë së klubit. Tani është momenti që ëndrra europiane e Egnatias të bëhet realitet.