Prokurorët federalë kanë kundërshtuar kërkesën e Sean “Diddy” Combs për t’u liruar nga burgu përpara shpalljes së dënimit, duke paralajmëruar se reperi 55-vjeçar mund të përballet me një dënim më të gjatë se sa ishte parashikuar fillimisht.
Në një dosje të paraqitur në gjykatën federale të Manhattanit të enjten, më 31 korrik, ata refuzuan kërkesën e ekipit ligjor që Diddy të lirohej me kusht kundrejt një garancie prej 50 milionë dollarësh, përpara dënimit të planifikuar për 3 tetor.
Fillimisht, pas shpalljes fajtor për dy akuza të lidhura me transportimin e personave për qëllime prostitucioni, prokurorët kishin vlerësuar se ai mund të dënohej me katër deri në pesë vjet burg. Por tani, ata thonë se diapazoni i dënimit “do të jetë dukshëm më i lartë”.
Reperi u lirua nga akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe konspiracion kriminal, që mund t’i sillnin burgim të përjetshëm. Megjithatë, ai u shpall fajtor për organizimin e lëvizjes së punonjëseve të seksit, femra dhe meshkuj, për takime intime që ai vetë i filmoi. Secila nga këto akuza mbart deri në 10 vjet burg.
Gjykatësi Arun Subramanian ka diskrecion të plotë për caktimin e dënimit dhe nuk është i detyruar të ndjekë udhëzimet federale.
Ndërkohë, avokatët e Diddy-t argumentojnë se dënimi duhet të variojë mes 21 dhe 27 muajsh burg.