Valbona Mhilli ka rrëfyer linjën e jetës së saj gjatë dje gjatë spektaklit të Big Brother Vip, ku ndër të tjera ajo rrëfeu se babai ka qenë gjithmonë mbështetje kryesore, një burim force dhe inkurajimi, dhe humbja e tij i ka ndryshuar jetën rrënjësisht.
Pas humbjes së babait, jeta për Valbonën dhe familjen e saj ndryshoi në mënyrë dramatike. Ajo u detyrua të marrë përgjegjësinë për familjen, duke u bërë mbështetje e vetme për nënën e saj.
Gazetarja tregoi për vështirësinë e asaj periudhe, duke pranuar se kishte shumë probleme të lidhej emocionalisht me mamanë, pasi gjithë bisedat e dikurshme i kishte bërë me babain.
“Nuk kam ditur ta dua mamin siç duhet, por tani dua të jem pranë saj, të sigurohem që është mirë dhe e kujdesem për të”, tha ajo mes lotësh.
“Kam lindur në Pukë. Ka qenë një ditë dimri, mami udhëtoi me kal, kishte kushte shumë të vështira për të arritur në spital. Kemi pasur një fëmijëri të bukur. Në 1994, kemi ardhur në Tiranë. 2 vite më vonë, babai fillon punë në Policinë Ushtarake dhe përgjegjësia për të na rritur ne, i ra mamit. Kur nisa punë në radio, shokët e shoqet më thoshin s’je e aftë, vetëm babai më mbështeste. Shumë vite më vonë, më vjen një ftesë për gazetare terreni.
Ishte plotësim i ëndrrës sime, forca ime ishte babi, ishte aty kur kisha nevojë për fortësinë e tij, komisari i jetës sime, më dha çdo gjë që kishte. Në 2019, babai im shkarkohet nga puna, ndryshoi totalisht, mundohesha t’i thosha duhet të punosh. Në 2021, tha dua të rikthehem në punë. Dha provimet, fitoi, ishte emocioni më i bukur. E emërojnë në burgun e Rrogozhinës. Mori uniformën dhe rikthehet në shtëpi, ishte dita më e bukur për të, qerasi të gjithë lagjen.
Niset në orët e para të mëngjesit të datës 6 mars. Në 6 të mëngjesit në shtëpi dëgjoj një ulërimë nga mami. Çohem dhe dal jashtë. Thotë babi ka bërë aksident. Nisem drejt Durrësit dhe lutesha ta gjeja gjallë, gjatë rrugës futem në një lokal dhe në ekranet televizive ishte që humb jetën efektivi. Gjithmonë kam dashur të lexoj arritjet e tij, por lexova si ai humbi jetën për profesionin. Ndihesha e humbur. Aty humbi dhe familja jonë.
Jeta jonë ndryshoi shumë kur babi iku. U detyrova të ngrihesha dhe të merrja situatën në dorë, nga një familje e madhe, ngela vetëm me mamin. E kisha shumë të vështirë të bëja një bisedë, sepse të gjitha bisedat i bëja me babin. Nuk dija t’i qëndroja pranë mamit. Aty kuptova që po humbisja edhe mamin. Nuk kam ditur ta dua mamin. Të lutem, më fal për të gjitha. Dua shumë të di nëse ajo i ka marrë ilaçet, me kë rri sepse ka frikë të rrijë vetëm. Të dua mam”, rrëfeu Valbona mes lotësh.