G Bani, një nga banorët më të diskutuar të ”Big Brother Albania Vip 4”, është shpallur ”non-grata” në Drenas të Kosovës. Gjithçka erdhi pas një deklarate në TikTok. Artisti në një video ku shprehej i revoltuar ndaj komenteve fyese që kishte marrë, u shpreh ndër të tjera: “Po të dija që janë kaq racistë ndaj meje, nuk do të më ndjente as në ‘99-ën”.
Kjo fjali u konsiderua e papranueshme nga organizatorët e festivalit “Muaji i Mërgatës” në Drenas, të cilët njoftuan anulimin e koncertit të planifikuar për mbrëmjen e nesërme. Në një deklaratë zyrtare, ata shprehën shqetësimin e tyre ndaj gjuhës së përdorur nga artisti.
“Si organizatorë të këtij festivali e konsiderojmë të papranueshme gjuhën fyese dhe mungesën e etikës në komunikim. Ky festival tashmë gëzon reputacion të lartë dhe nuk mund të jetë platformë për artistë që shfaqin qëndrime denigruese ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.
Pas anulimit të koncertit, G Bani reagoi sërish me një video, ku tha se komentet e tij ishin të drejtuara ndaj një grupi ndjekësish që e kishin fyer, dhe jo ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës. Sipas organizatorëve, fjalët e tij e kishin kaluar kufirin e tolerueshëm dhe vendimi për anulim mbetet i pakthyeshëm.