Detaje të reja kanë dalë nga incidenti i ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Tiranë, ku Genard Hajdini, personazh i njohur në rrjetet sociale, dhe babai i tij, Paqësor Hajdini, u goditën me grushta nga një person në një lokal.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate në një lokal në zonën e “Rrugës Bardhyl”.
Policia njofton se ka proceduar penalisht 40-vjeçarin me inicialet Sh.G., si i dyshuar për goditjen ndaj dy personave, si dhe 25-vjeçaren A.P., e cila ishte në tavolinë në shoqërinë e 40-vjeçarit e cila dyshohet se ka kryer veprime për pengimin e zbardhjes së së vërtetës.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet:
“U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh.G., 40 vjeç, për veprën penale ‘Plagosja e lehtë me dashje’, dhe për shtetasen A.P., 25 vjeçe, për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’. Nga hetimet e kryera dyshohet se më 3 gusht 2025, në ambientet e një lokali në rrugën ‘Bardhyl’, shtetasi Sh.G. ka goditur me grushte shtetasit P.H. dhe G.H. (babë e bir), ndërsa shtetasja A.P., e cila shoqërohej me 40-vjeçarin, në momentin e ngjarjes ka dhënë deklarime kontradiktore, me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale për shtetasin Sh.G.”
Vetë Genard Hajdini ka deklaruar se ai dhe babai i tij kanë marrë lëndime trupore dhe kanë qëndruar në ambientet e Spitalit të Traumës. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, gjatë qëndrimit në spital, ai rrëfen:
“Jam në Trauma, u zëmë sot. Na rrafi njëri, na bëri peshk fare. Ishte i fortë i dheut. Si Muji dhe Halili, por fajin e kishte pak babai, se kishte folur me zë të lartë. Por edhe ai i ra babës me grusht. Kur shkova unë me taksi, më ra dhe mua. Padi direkte në komisariat.”