Gjithë jeta e njeriut është formim dhe marrje dije, por procesi i shkollimit zë një rëndësi të veçantë për të ardhmen dhe për atë çka mund të jetë nesër në profesion dhe në jetë. Prandaj edhe theksi shpesh vihet te ata që janë pjesë e sistemit të edukimit, tek mësuesit. Atëherë kur shumëkush nuk e di se çfarë rruge do të ndjekë, shpeshherë është vetë jeta që të çon në drejtimet e duhura.
E pikërisht, një histori të tillë, mjaft të veçantë, ku profesioni i mësuesit u diktua nga rrethanat e kohës, do të tregojmë në rubrikën “Dita e parë në Auditor”. Profesor. Dr Petraq Papajorgji, kontaktin e parë me auditorin e pati në moshën 17 vjeçare, në një moshë të hershme duhet thënë, dhe me një peshë goxha të rëndë mbi shpatulla. Për shkak se vinte nga një familje e pasur dhe se ishte fëmija i tretë në familje, trajtimi i kohës nuk ishte mjaft dashamirës ndaj shtresës së tij sociale dhe biografisë që kishte.
E ‘hodhën’ në fshatin Drenovicë të qarkut të Beratit, ku punoi për 1 vit, gjatë 1969-1970, si mësues i lëndës së matematikës. Kjo përvojë e vështirë, për shkak të kushteve në infrastrukturë, pati një impakt të fortë në rritjen e tij si njeri dhe njohjen e një realiteti që nuk ishte përballur më herët.
Më pas, jeta e tij profesionale do të marrë një tjetër drejtim, duke kaluar në auditorët e universiteteve. Në vitin 1978, do të fillojë si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, duke dhënë lëndën e Informatikës, një degë që sapo ishte hapur. Për rreth 8 vite do të qëndrojë në mjediset e këtij Fakulteti, për të kaluar më pas në një eksperiencë të re, si pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor. Përveç kushteve më të mira, pajisjeve, profesori ndan me ne edhe një moment të veçantë, atë të kryerjes së një studimi tërësor dhe gjithëpërfshirës, pjesë e së cilit qe edhe vetë, ku dhe në fund u nderuan nga qeveria e kohës për kontributin dhe rëndësinë e këtij projekti.
“Për një periudhë 6 mujore, qindra studentë nga Instituti i larte Bujqësor i Tiranës u përfshinë në një studim të bimës së ullirit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ishte një përgjegjësi e madhe dhe një punë mjaft skrupuloze që u bë, e cila në fund u botua edhe në një libër “Gjendja e bimës së ullirit dhe perspektivat e zhillimit të saj”. Po ashtu, ky studim që vazhdon të jetë edhe sot aktiv, sigurisht i pasuruar të dhëna statistikore, u vlerësua në atë periudhë me Çmimin e Republikës”, tregon profesori.
Ndryshimet e sistemit do të impaktojnë edhe karrierën e profesor Papajorgji, e cila tashmë do të zhvendoset për pothuajse 2 dekada në kontinentin e Amerikës së Veriut.
Fillimisht, nëpërmjet bursës “Fulbright'', do të vazhdojë formimin e vet akademik në universitetet amerikane. Eksperienca e re, ndjekja më nga afër e zhvillimeve teknike, sidomos në fushën e Informatikës, do të bëjnë që të jetë i sinkronizuar me to, për të sjellë pastaj një frymë të re mësimdhënie në universitetet shqiptare.
Pas specializimit të tij, Profesor Papajorgji u zhvendos në Kanada për një periudhë 3 vjet, për t’u rikthyer sërish në Universitetin e Floridas, ku qëndroi deri në vitin 2011.
Rikthimi i tij në Shqipëri do të jetë pikërisht në Universitetin Europian të Tiranës, në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit, ku siç edhe shprehet, kishin një frymë të re pune, shumë ndryshe nga ajo që kishte lënë kur ishte larguar nga Shqipëria.
“Në UET kemi pasur filozofinë, një student një kompjuter, një gjë që i ka shërbyer procesit të mësimdhënies dhe sidomos formimit të studentit. Informatika është një fushë që më pëlqen shumë dhe kam mënyrën time të bërjes sa më të lehtë. Sa herë kur jap leksion, pas shpjegimit, përpiqem që t’i vendos në punë studentët dhe prekin sa më shumë aspektin praktik. Në një mënyrë të tillë zbus edhe ndryshimin mes leksioneve dhe seminareve. Duke qenë se edhe kushtet, por edhe numri i studentëve ka qenë i favorshëm, për ta zhvilluar lëndën në të dyja këto aspekte”, thotë profesori.
Ai shton më tej, se si një njohës i mirë i fushës së Informatikës, ajo mbetet një nga formimet më të rëndësishme të kohës.
“Për studentët, teknologjia është fusha që duhet të ndjekin më shumë. Është një fushë që gjendet më shumë në përditshmëri dhe ndërthuret me fusha të tera për shkak të zhvillimit teknologjik. E për rrjedhojë, një student që mbaron një degë të tillë, ka shumë mundësi për t’u rritur profesionalisht dhe për të zënë vend të tregun e punës”, tregon profesori.
Karriera e tij ka qenë dinamike, dhe ndoshta do të duheshin shumë më shumë faqe për të përshkruar eksperiencat dhe gjithë fazat e formimit dhe shkëmbimit në auditorë brenda dhe jashtë vendit që ai ka pasur. Marrëdhënia me UET ka qenë fleksibile, ku për një periudhë kohë është shkëputur, për të marrë një detyrë mjaft të rëndësishme, si dekan i Instituti Kanadez i Teknologjisë. Por shkëputja me auditorin nuk ka ndodhur kurrë. Edhe pse tashmë ka dalë në pension, profesor Papajorgji nuk i ndalet auditorit, ku mori dhe dha shumëçka me pasion dhe dëshirë për edukimin e të rinjve. E mbi të gjitha duke plotësuar misionin e tij, një jetë në mësimdhënie! /Gazeta Liberale