Talibanët në Afganistan kanë miratuar një dekret të ri që kufizon akoma edhe më shumë zërin e grave, të cilat tashmë përballen me kufizime të rënda në daljet e tyre publike.
Ministri për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, Mohammad Khalid Hanafi, njoftoi se grave u ndalohet të lexojnë Kuranin me zë të lartë në publik, madje edhe në prani të grave të tjera, sipas një raporti nga Amu TV, një media lajmesh afgane.
“Edhe kur një grua e rritur është duke u falur dhe një grua tjetër kalon pranë, ajo nuk duhet të lutet me zë të lartë sa të dëgjohet”, tha ai në mesazhin e tij.
Zëri i një gruaje konsiderohet “evrah”, që do të thotë diçka që duhet të mbulohet dhe nuk duhet të dëgjohet në publik – tha zoti Hanafi. “Kur gratë nuk lejohen të ezanin për namaz, ato sigurisht që nuk mund të këndojnë apo të dëgjojnë muzikë. Si mund të lejohen të këndojnë, nëse nuk u lejohet as të dëgjojnë (zërin e njëri-tjetrit) në lutje, e lëre më asgjë tjetër”.
Detajet e sakta të vendimit të ri të talebanëve janë të paqarta, megjithëse ministri tha se ai “do të zbatohet gradualisht dhe Zoti do të na ndihmojë në çdo hap që bëjmë ” .
Por aktivistët e të drejtave të njeriut si në Afganistan ashtu edhe jashtë saj kanë paralajmëruar se kjo masë e fundit e talebanëve mund të nënkuptojë se grave u ndalohet në mënyrë efektive të flasin me njëra-tjetrën.