Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të mitur me inicialet R.B., i dyshuar për përfshirje në vrasjen e rëndë të zyrtarit policor Muhamed Lika.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, në afërsi të banesës së viktimës. Sipas prokurorisë, i mituri në bashkëkryerje me gjashtë persona të tjerë madhorë, ka ndjekur zyrtarin policor deri te hyrja e ndërtesës ku banonte dhe më pas ka shtënë me armë zjarri ndaj tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Viktima ishte dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik, ku mjekët kishin konstatuar vdekjen.
Prokuroria njofton se të dyshuarit, përfshirë të miturin, po hetohen për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në bashkëkryerje.
Hetimet janë në zhvillim, ndërsa gjykata pritet të vendosë për kërkesën e paraburgimit.