Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka paralajmëruar se Rusia do të përballet me “pasoja shumë të rënda” nëse Presidenti Vladimir Putin nuk pranon një armëpushim me Ukrainën, gjatë samitit që do të mbahet të premten në Alaskë.
Me anë të një deklaratë për gazetarët në Uashington, Trump u shpreh qartë se ndalimi i armiqësive është përparësia kryesore e këtij takimi.
I pyetur nëse Rusia do të përballej me pasoja në rast të refuzimit për armëpushim, ai u përgjigj: “Po, ato do të kenë… pasoja shumë të rënda.”
Këto komente erdhën pas një videokonference të zhvilluar mes Trumpit dhe disa prej liderëve kryesorë të Evropës, përfshirë Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, Kryeministrin britanik Keir Starmer dhe Presidentin francez Emmanuel Macron.
Gjatë bisedës, Trump theksoi se armëpushimi është prioriteti i tij dhe garantoi se nuk do të ketë lëshim territorial ndaj Rusisë pa përfshirjen dhe miratimin e Ukrainës.
Pas takimit virtual me liderët evropianë, Trump e përshkroi bisedën si “shumë të mirë” dhe tha se e vlerësonte me “10 nga 10”, duke shtuar se ishte konsultuar gjerësisht për qëllimin dhe strategjinë që do të ndjekë në samit me Putinin.
“Do të doja të kishim një takim të dytë shumë shpejt pas këtij, nëse i pari shkon mirë. Këtë herë me pjesëmarrjen edhe të Presidentit Zelensky,” deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se ai po punon drejt një takimi trepalësh.
Nga ana tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi se Trump është i interesuar të organizojë një takim të dytë që do të përfshijë edhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, nëse bisedimet me Putinin japin sinjale pozitive.
“Aktualisht, mbi tavolinë nuk ka plane serioze për shkëmbim territorial. Mendoj se kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Dhe shpresojmë që takimi i ardhshëm mund të mbahet në Evropë, në një vend neutral që është i pranueshëm për të gjitha palët,” deklaroi Macron.
Ndërkohë, Rusia ka lënë të kuptohet se nuk është e gatshme të pranojë një takim me Zelenskyn në këtë fazë, duke theksuar se një bisedë e tillë duhet të ndodhë vetëm kur palët të jenë afër një marrëveshjeje të plotë paqeje, dhe jo thjesht një armëpushimi të përkohshëm.
Samiti mes Trump dhe Putinit do të zhvillohet në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson, një pikë kyçe ushtarake në Alaska që ka pasur rol të rëndësishëm në përballjen e kërcënimeve sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë.
Zgjedhja e kësaj baze është parë si një mesazh simbolik për seriozitetin e bisedimeve dhe për rëndësinë strategjike që i jep administrata amerikane këtij takimi.
Në bazë të kësaj, Trump ka reaguar ashpër ndaj raportimeve të disa mediave që e kritikuan për organizimin e samitit me Putinin në tokë amerikane.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai shkroi:
“Media po sillet shumë, shumë e padrejtë në lidhje me takimin tim me Putinin. Ato vazhdojnë të citojnë humbës të pushuar nga puna dhe njerëz shumë budallenj si John Bolton, i cili sapo tha se edhe pse takimi është në tokën amerikane, ‘Putini ka fituar tashmë’. Çfarë dreqin është kjo? Ne fitojmë ÇDO GJË.” u shpreh Trump.
Për më tepër, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha se sanksione të mëtejshme ose tarifa dytësore mund të vendosen mbi partnerët tregtarë të Rusisë nëse takimi në Alaskë nuk shkon mirë.