Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se sulmet ajrore izraelite në Qytetin e Gazës janë intensifikuar në ditët e fundit, pasi kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, miratoi planet për zgjerimin e ofensivës ushtarake në këtë zonë.
Qeveria izraelite nuk ka treguar saktësisht se kur forcat e saj do të hyjnë në këtë zonë, por sipas zëdhënësit të agjencisë për mbrojtje civile në Gazë, Mahmud Bassal, sulmet ajrore mbi Qytetin e Gazës janë shtuar gjatë tri ditëve të fundit.
Bassal tha se lagjet e banuara të Zeitounit dhe Sabrës janë goditur “me sulme të rënda ajrore që kanë shënjestruar shtëpi civile, ndoshta edhe ndërtesa shumëkatëshe”.
“Për të tretën ditë me radhë, Izraeli po i intensifikon bombardimet e tij”, tha ai.
“Izraeli po përdor të gjitha llojet e armëve në atë zonë – bomba, dronë, si dhe municione shumë shpërthyese që shkaktojnë shkatërrime masive të shtëpive civile”, shtoi ai.
Bassal tha se të paktën 24 persona janë vrarë të martën në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë edhe në Qytetin e Gazës.