Globi

Milorad Dodik dënohet me burg edhe në apel

Shkruar nga Liberale

Milorad Dodik dënohet me burg edhe në apel

Gjykata e Apelit e Bosnjës të premten mbështeti dënimin e udhëheqësit politik serb të Bosnjës Milorad Dodik me një vit burg dhe gjashtë vjet pamundësi për t’u zgjedhur, një vendim i hedhur poshtë nga personi në fjalë, ndërsa BE bëri thirrje për respektimin e vendimit.

Bosnja është tronditur muajt e fundit nga një krizë serioze, një nga më të këqijat që nga lufta (1992-1995), e shkaktuar nga veprimet e Presidentit të Republikës Srpska (RS), entitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.
Associated Press shkruan se Dodik u dënua për shkak të veprimeve të tij separatiste, në një kohë tensionesh në shtetin e brishtë të Ballkanit.

Dodik e refuzoi vendimin e gjykatës dhe deklaroi se do të vazhdojë të veprojë si president i Republika Serbe të Bosnjës, për aq kohë sa ka mbështetjen e parlamentit.
Ai tha se nuk ishte i befasuar nga vendimi, të cilin e quajti një “vendim politik i qartë” i organizuar nga myslimanët e Bosnjës në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

“Pres mbështetje të plotë nga Serbia, do t’i drejtohemi Rusisë për ndihmë, do të dërgojmë një letër administratës së re amerikane,” tha Dodik.
BE reagoi me një deklaratë të shkurtër, duke thënë se “vendimi është detyrues dhe duhet të respektohet.”

“BE u bën thirrje të gjitha palëve të njohin pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës, dhe të respektojnë e zbatojnë vendimin e saj,” thuhet në deklaratë.
Avokatët e Dodikut thanë se do ta apelojnë vendimin në gjykatën më të lartë të Bosnjës.

Dodik ka bërë vazhdimisht thirrje për ndarjen e pjesës së Bosnjës të kontrolluar nga serbët, me qëllim që ajo të bashkohet me Serbinë, një qëndrim që çoi në sanksione nga administrata e mëparshme amerikane. Ai është gjithashtu i akuzuar për korrupsion dhe politika pro-ruse.

Retorika separatiste e Dodikut ka rritur frikën në Bosnje, ku gjatë luftës së viteve 1992-1995 serbët e Bosnjës u ngritën kundër shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia dhe u përpoqën të formonin një mini-shtet për t’u bashkuar me Serbinë. Rreth 100 mijë njerëz u vranë dhe miliona u zhvendosën.

Marrëveshja e Dejtonit, e sponsorizuar nga SHBA, i dha fund luftës dhe krijoi dy entitete në Bosnje: Republika Srpska dhe Federata Boshnjako-Kroate, me autonomi të gjerë, por me disa institucione të përbashkëta, përfshirë ushtrinë, gjykatat e larta dhe administratën tatimore. Bosnja ka gjithashtu një presidencë me tre anëtarë në rotacion, përfaqësuar nga një boshnjak, një serb dhe një kroat.

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH